‘E paqes, kjo lule, kjo botë’, një nga poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’

10 Nëntor, 2019 - 2:21 pm

Poezi nga Festinë Avdiu. Poezia është në mesin e dhjetë poezive finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen. Festina ishte pjesëmarrësja më e re në finale.

Nga maja e shkëmbit 
lëkundet 
pret
dikë të vijë 

– Ku po shkojmë – ta pyes-
Në një jetë të re 
aty ku thellë jetohet 
çdo ditë gëzohet 
ozon-paqja numërohet 
dhe toka
toka do që ti 
të vallëzosh zbathur 
nën melodinë e zotërisë Martin 
në vallen tënde të ftosh njerëzinë 
të luajnë me fluturat e bardha 
nga telat e harpës të dalura 
të lagësh fytyrën 
e të lësh erën të ta thajë bukur 
të vraposh malit 
për të zënë perëndimin 
dhe të zgjohesh në maje 
kur dielli lind pa të pyetur 
e rrezet , dredhat t’i puthin 
Aty ku retë zbresin poshtë 
për t’marrë në shëti foshnjet 
retë bëhen djepe shtati 
e foshnjet nuk ndihen së qari 
veç sodisin me sytë e vegjël 
bukurinë e oqeanit 

Do shkojmë aty ku dashurinë e qëndisin 
vashat në kasnakët e drurit 
në pëlhurat e tyre të buta 
ato botën qëndisin 
Aty ku shqiponjat çajnë qiellin 
e kudo që krahët u prekin 
e di sa lulëkuqe nisin të çelin ? 
Aty ku lotët janë reliktuar 
të buzëqeshë , çdonjëri është mësuar 
ku njerëzit e njohin veten 
e duan mendjen 
e duan jetën 
Ku fenerët çdo natë 
me yjet bëjnë garë 

Aty ku vogëlushet flenë mbi det 
të vegjëlit përqafojnë pemët 
të rinjtë vrapojnë kalldrëmit 
të arrijë librat që pulëbardhat kanë sjellë 
kush i pari 

Aty ku ujëvara e shkrimit s’ndalet
fjalët poetojnë të dëlira 
ti vazhdon të lundrosh 
e oqeanit të poemave 
një të tënden prej ari i dhuron 
E ti eja 
aty ku ëndrrat i lë të koten nën hënë 
e dielli në rreze t’i shkrin 
çdo ditë rrezet e ëndrrave të zgjojnë 
ty ,
lulen ,
lulen që në çdo stinë lulëzon 

Kështu 
kështu t’i thotë 
këtë poezi t’ia diktojë 
paqen , jetën t’ia dëfrojë 
e të nisen , aty ku përveç lules së paqes 
asnjë tjetër nuk rritet 

Le të nisen 
ata të dy ,
ju ,
të gjithë.

Të ngjajshme