27 Nëntor, 2020 - 9:45 am
Poezi nga Vlora Konushevci
Sa dëshira të heshtuna i ke? Sa të shtypuna a të shkëmbyeme si salvetat dikur në kuti bonbonjerash! Sa prej tyne as vetes s’guxon me ja tregu,
ato që i sheh në andërr e çohesh tue u përfalë, zotin lutë me t’ruejt!
Sa herë e ke sabotu lumturinë tande, je rrudhë si livore lisi
e ke mashtru fëmijën se ajo lodër s’asht në shitje
burrin se je e dërmume për seks
veten se dëshirat tua presin si deka!
Në zanin tand ndigjoj dyert që mbyllen e dashtun, peshimin milimetrik
të dëshirave por ashtu peshohen veç shpenzimet në fund të janarit.
Dinjiteti copëtohet edhe tue ja ndal zanin lumturisë*.
Nuk je perëndi, je veç njeri prej mishi e gjaku
Olimpi asht i rezervuem për legjenda
të çmenduna edhe ato, veç mite kot.
Nuk çohet jeta teheve, e dashtun, asht ditë e bukur me u çmend sot!
Me i vu cak qiellit e me çjerrë në dysh currik përpjetë
prej gazit, jo prej vajit,
atdheu jonë asht gjuha e dashtun, idenë e pritjes me nda
n’midis si bukën, e të përhiturën sundimtare
me ba!
*Mos qesh shumë se të del idhnim, urtësi popullore , në mjekësi
nihet si fobi prej lumturisë, tregues i çrregullimit mendor – ankthit. / KultPlus.com