13 Janar, 2019 - 2:30 pm
Poezi nga Abdullah Konushevci.
Nuk është e sigurt
Në më deshi më shumë se veten
Nuk është e sigurt
Në e desha me shumë se veten
Nuk është e sigurt
E ndoqën sigurinë nga unë
Apo e humba rrugës
Nuk është e sigurt
Ka sigurimi fytyrë burri
A bishe të trembur
Nuk është e sigurt
Jam një shuk drite
Apo njeri prej mishi e gjaku
Nuk është e sigurt
Po e shkruaj unë këtë vjershë
Po i shtyp unë shkronjat në tastierë
Këtë as sigurimi s’mund ta dijë
Nuk është e sigurt
Do të vdes në shtrat
Apo do të më vrasin
E sigurt është se dua
Të kem këmishë të bardhë
Të bjerë më shumë në sy gjaku
Nuk është e sigurt
Ç’do të bëhet me sigurinë e brendshme
Do të ma kthejnë një ditë
Apo do ta nxjerrin në treg
Nuk është e sigurt
Më përgjojnë telefonin
Apo ai jehon vetiu
Nuk është e sigurt
Cilën ditë do të më nxjerrin
Prapë në gjyq
Apo më parë do të më marrin në hetime
Nuk është e sigurt
Cilin rrugaç cilën kurvë
Do ta ndërsejnë nesër kundër
Nuk është e sigurt
Se nuk do të djersij
Se nuk do të pëlcas
E sigurt është vetëm vdekja
Dhe ringjallja po ashtu.