20 Nëntor, 2022 - 6:01 pm
Poezi nga Sali Bashota
E vetmja ditë për shpirtin
Është kur sytë mbushen me lot
Pastaj largohet mërzia
Mbështjellur me mëndafsh të bardhë
Aty është edhe jastëku i ëndrrave
Dhe pak shkrumb buzësh
Tani nuk mund ta kujtojmë
Fshehjen e mërive
Si digjet kjo ëndërr
Pa i mashtruar fëmijët
Me syze dielli
Pa e këputur litarin e vdekjes
Pranë një lumi
Pa e mbledhur zjarrminë e buzëve
Pa e kuptuar vuajtjen e përflakur
Pa e kafshuar mollën e papjekur
Pa i mbyllyr sytë
Pa e shkundur trishtimin
E vetmja ditë për shpirtin
Është kur sytë mbushen me lot /KultPlus.com