‘Ederlezi’, vendi i tretë në konkursin ‘Poezi për Paqe’

8 Nëntor, 2019 - 10:30 am

Poezia ‘Ederlezi’ shkruar nga Alketa Spahiu, e shpërblyer me vendin e tretë në konkursin e poezisë ‘Poezi për Paqe’, nga KultPlus dhe UNWomen. Poezia është inspiruar nga kënga ‘Ederlezi’ dhe kultura e komunitetit RAE.

Është natë me hënë, shkelqësia jua,
këmbët e zbathura puthiten në kalldrëmin e pritjes,
yjet dalin nga qilarët e vetmisë,
sa më shijon çelësi sol i tamburinit,
ederlezi
të gjithë miladyt kanë një milord në festën e Shën Gjergjit.

Fitoje kampionatin e hedhjes me shtizë të pengut
vallëzo me muzikë rome derisa kilometrat të zbuten
sfido navigatorin me bukurinë e imagjinatës
këndo derisa  faqet të gravohen me gjilpërat e dërvishëve
me ujin e bekuar nga perënditë ngre dolli,
ederlezi,
të gjithë kanë një pjatë dashuri në sofrën e Shën Gjergjit.

Ederlezi ndez prushin e çdo zemre,
sjell në tavolinë qengjin tek çdo familje
vetëm ne nuk kemi qengj në tavolinë,
sepse jemi të varfër,
milady pret milordin  nga limani i Danubit
të sjellë një pjatë dashuri nga thesaret e kolonive
vetëm ne nuk e kemi luksin rutinor
të racionit të erëzave të dizajnuara nga Venusi,
sepse jemi aq larg,
ne jemi të varfër
edhe në ditën e Shën Gjergjit.

Të ngjajshme