20 Gusht, 2021 - 1:25 pm
Poezi nga Ismail Kadare
Edhe kur kujtesa ime e lodhur,
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj.
Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë të pashkundshme.
Ndarja erdhi,
Po iki larg prej teje.
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë
Gishtat e dikujt do pleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë./KultPlus.com