30 Janar, 2022 - 11:00 am
Poezi nga Mikai Eminesku
Shoh dallëndyshet që ikin larg,
Dhe gjethet që u zverdhën pak.
Mbi vreshta tutje bryma ra,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?
Eja në krahë të të mbaj,
Të t’admiroj e të vdes pastaj.
Dhe ta vë kokën që më dhëmb,
Mbi gjoksin tënd, mbi gjoksin tënd!
A të kujtohet koha vallë,
Kur të dy bridhnim në livadhe.
Kur unë të ngrija pupël në erë,
Me mijëra herë, me mijëra herë!
Në botë gjenden femra plot,
Që sytë i kanë zjarr e lot.
Të arta qofshin ato gra,
Si ti nuk ka, si ti nuk ka!
Ti dritë do sjellësh e kthjellim,
Në jetën time, shpirtin tim.
Ti mbi çdo yll ke bukuri,
E dashur moj, e shtrenjtë ti!
Vjeshta tani mbi fushat zverdh,
Rrafshnaltat i shkretoi përreth.
Po bien fletët ca nga ca,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?/ KultPlus.com