19 Dhjetor, 2022 - 11:02 am
Poezi nga Amina Kaja
Urdhëron Zeusi:
“Këndo, kor hyjnor!
Këndoji dashurisë që Afërdita mbolli te një njeri!
Këndoji dashurisë që dhe Erosi e kishte zili!
Këndo për vashën të cilës ia la në gji-
të jetonte me të!”
Kori hyjnor, me zëra shumë,
harpën pritën – tinguj t’i lëshonte lum,
të këndonte odë për gruan me shpirt si pëllumb:
“Gruaja me zjarr në gji,
idilike e quante atë dashuri
leu në lulishte, u rrit në diell me dele e barí-
nuk kishte parë stuhi
as qiell të zi.
I thoshte idilike,
se ishte e thjeshtë, e pastër e nuk njihte limite.
I dashuruar në dashurinë që vajza mbante në gji,
asaj dhe Teokriti i thurte poezi.
Rezultat i dashurisë qe e arta bijë,
dhe siç e do kjo histori,
emër i vunë Idilë-
simbol i dashurisë së cilës Afërdita nuk i krijoi replikë.
Foshnjë me bukuri që Hera mendonte përkon me perëndi,
me po të njejtin zjarr në gji.
Leu në lulishte, u rrit në diell me dele e barí-
nuk kishte parë stuhi a qiell të zi.
Idila nënën e kishte engjëll-
për të Olimpit i këndonte lavdi,
e në tokë si mamaja nuk i dokej njeri.
Nga majat e gishtërinjëve i rrezonte Dielli
Zemrën e kishte më të thellë se Deti,
e në dy sy të qartë i shihej Qielli.
Fjalët e saj i gërshëtonte në shtrojë
i mbulonte supet me to, si të ishin mburojë.”
Zëri kërcënues i Zeusit buçiti në gjithësi,
nuk ishte i kënaqur, donte tjetër histori.
“Këndo, kor hyjnor!
Këndoji dashurisë që Afërdita mbolli te një njeri!
Këndoji dashurisë që dhe Erosi e kishte zili!
Këndo për vashën të cilës ia la në gji-
të groposej me të!”
Kori hyjnor, me zëra shumë,
harpën pritën tinguj të lëshonte lum.
T’i këndonte elegji gruas së mallkuar:
“Idila nuk shihte dashuri,
e nëna i thoshte ka kohë,
je ende fëmijë.
I thoshte se të djegurat në duar ishin rezultat dielli parajse,
jo ferri.
I fliste për dashurinë që ia dhuroi Afërdita,
e përse vajzushes ia dha emrin Idila.
Idila është këngë baritore,
që i këndonte dashurisë së tyre martesore.
Me të zjarrin që kishte në gji e barti tek një fëmijë,
të vazhdonte të digjej shkëlqyeshëm sa deri tani.
Vajza shikonte zjarrin në gji,
i ngjante atij të së ëmës, atij që mbante magji.
Po nëna e saj kishte gjithmonë ftohtë,
a nuk duhej mamit t’i vinte ngrohtë?
Dhe si ka mundësi, në tërë atë errësirë
flaka e nanës kurrë të mos bënte dritë…?”
Zërat e larshmishëm u takuan në hava,
vallëzuan me erën si misri n’arra.
Gjëmuan si vala kur shkëmbin godet,
shpërthyen si vetëtima kur në tokë troket.
“Këndo tani ti, Hyjni e Olimpit!
Këndoji moj Afërditë, asaj dite me shi!
Ditës kur as Heliosi nuk lëshoi rreze dielli ta ledhatonin arkivolin gri!
O Eros i madh, hidhi tutje shigjetat-
se mallkove me to të gjitha krijesat!
Fatlum ti, o fatlum
që i verbër linde
e nuk e pe lotin që faqeve të Idilës rridhte!
O Zeus i praruar, lësho vetëtimë –
Tani mos të trokasë!
Le ta çajë ogurzezën tokë me bubullimë-
t’i tregojë njeriut si të tijën egërsi!”
Arritën kulmin,
nëpër Olimp jehuan
padrejtësisë martesore në tempull i kënduan.
U lëkundën, u lehtësuan-
ngadalë, zërat u qetësuan.
Vetëm një harmoni e hollë mbeti,
si shkuma kur letohet Deti.
“Idilës loti në qerpik i fjeti,
zjarri në shpirt desh e treti.
Ja përse nuk shihte dashuri.
Afërdita pasi nga zjarri e gdhendi
vetëm njërës palë ia dhuroi.
Nëna e saj kishte harruar,
si perëndesha e pat paralajmëruar.
Fjalë të egra, thënë butësisht,
nuk mund të kuptoheshin ndryshe pos tmerrësisht.
‘Qiriu është rob i flakës,
ashtu si harpa rob i kangës.’ “
“Elegji për Idilën”, një ndër poezitë finaliste të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus./ KultPlus.com