5 Janar, 2019 - 3:24 pm
Poezi nga Liridon Mulaj
Emnin ma thonë Ditmir!
Kam lind fiks në orën dymbëdhjetë të mesnatës ,
ndaj nuk kam datëlindje.
I mbështjellun në fanellata që kuderbojnë era shurrë,
vështroj tullumbacet e argjendta në krevatin ngjitur
Nji emën tjetër formojnë, e tjetër shpresë ngjizin për dikë tjetër.
Jam me ngjyrë të lëkurës nanës, apo dhe babës
paçka se këtë të fundit nuk e njoh ,
edhe pse unë mbaj aromë braktisjeje
zhytun në fanellata të ndotuna ,
kapun prej duarsh të forta të mamive
që më prekin si dinamit, gati me shpërthy
Emni jem asht Ditmir!
I lindun në ditë keqe, me diell e re
pa dëshirë e dashni , mbushun udhët me braktisje
Kam tokën për shollë,qiellin për tavan
e rrugën trajektore përshkuese
si kurba e burrnimit në tabelën e vuajtjes
ku indeksi i mirëqënies matet me monedhat e faluna
e duart e zgjatuna.
Jam biri i tokës dhe i diellit
i hanës dhe i reve.
Jam pesha e dheut e barrë e
e kalimtarëve qi ndrrojnë rrugë përballë meje.
Jam sperma e prishun e nji të papërgjeshmi
, jam përtese apo ndoshta dashnia e nji gruaje pjellore jashtë parashikimit.
Jam i bardhë, i zi , ndoshta dhe pa ngjyrë por s’jam si ju.
Jam zgjatim në këtë jetë, asnjeherë i pritun
gjithmonë i pavënd.
Emni jem asht Ditmir,
emnit tem, s’ja njoh kuptimin…