Epigramë gruaje

11 Prill, 2019 - 9:45 pm

Sibel Halimi

Na nuk shpërndahemi 
Këqyrim seri
Tue kalua e shpejtu njana – tjetrën 
Të kapne fort për ideologjie 
Si këtu me pas nis e sos barazia

Na nuk shpërndahemi 
Ia nalim turrin njana – tjetrës 
Frymën n`gjysë ia lamë 
E kthejmë n`shpi njana – tjetrën,
n`robni 
e tani ia japim njanin gisht me shpëtu

Na nuk shpërndahemi 
Që kur fluturon njana 
Tjetra braktisë edhe qiellin e nalë shikimin n`lartësi

Na nuk shpërndahemi 
Rrahim shpina 
I gëzohemi asaj që s’ka të bëjë me ne

Na nuk shpërndahemi 
Braktisemi kur ia bajmë qenies shtëpinë 
Që e lamë vet, fillikat 
E ajo qohet 
del se dhimbja e mytë

Na nuk shpërndahemi 
Se kur lejmë 
S`e mbajmë për krahu 
e me i thanë qu bre se e sëmut nuk je 
ki me e le edhe nji liri

Na nuk shpërndahemi 
Se s’jemi mësua me këqyr n`sy njana – tjetrën 
Me pa veten në bebëza t’synit të saj 
Kur je ra e qu

Na nuk shpërndahemi 
Se jemi lehona të shtrime në shtretër t`huej 
Nuk shpërndahemi…/ KultPlus.com

Të ngjajshme