5 Shtator, 2019 - 7:28 pm
Poezi nga Visar Zhiti
E megjithatë unë shkruaj poezi
pa m’i lexuar askush.
Ndoshta dhe era e natës nuk i lexon fare yjet,
mbase dhe shkëmbi në bregun e detit
s’ndien asgjë nga dufi i dallgëve
E megjithatë unë shkruaj poezi
të cilat ma prishën jetën. 7 vjet
trupin ma mbështollën telat me gjëmba.
Ma shqyen lëkurën dhe rrodhën rrëkera jete
……… si rrëkera gjaku
……… deri në fund të këmbëve të mia
Po shpirtin, jo të gjithë shpirtin
nuk munda dot, veç një grimëz, e nxora
nga të çarat e trupit
……… dhe e çova
……… te dashuria
……… te poezia.
Me grimca shpirti jetoj tani
të vogla
si bletë të humbura
…………..
dhe të mendosh
që edhe mbishkrimet e varreve
kanë lexues…
Atëherë poezia është më shumë se sa shpresat! /KultPlus.com