‘Epitafi i ëndrrës’ nga Agim Berisha, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

12 Dhjetor, 2023 - 4:04 pm

Agim H. Berisha

Në kohën e hiçit
S’prishen ëndrrat e askujt
As varet qielli në gjysmështizë
Ta zëmë
Kur eklipsohet dielli
Shpërfaqen marrëzitë
Miq
Shenjtëria e maleve preket
Sa herë bien në delir perënditë
Tallje me vetveten
Tash e dymijë vjet
S’ia mësuam mashtrimit gjuhën
Në Olimp
Veç qirinj të ndezur
Tym pak dhe errësirë
Parajsa e hiçit
Ç’na përhihej
Në njëmijë e një fytyra
Udha
Pa trokëllimë
Gjumë i ftohtë akull
Shpresa e asgjës
Epitafi i ëndrrës/KultPlus.com

Të ngjajshme