17 Maj, 2021 - 9:25 pm
Poezi nga Milazim Krasniqi
Tashmë jam rritur sa të kuptoj
Secilën fjalë e secilin tregim.
E di pse më kanë lënë të jetoj
Dhe ç’ka ndodhë me babain tim.
Më kanë treguan hallat e nëna
Dhimbjen që u ka rënë në shpirt,
Siç bie një shkëmb e të zë brenda
Pa të lënë as frymë, as dritë.
Kur kishin hyrë në atë shtëpi
Ku familja ime ishte e strehuar
Tek ai njeri i mirë e plot fisnikëri
Vrasësit me mua ishin egërsuar.
Të isha një femër nuk dëshironin
Pasi një djalë donin që të isha,
Që me ritualin e tyre të më copëtonin
Të ngopeshin me gjak, si bisha.
Më kishin marrë nga djepi me vërtik
E ma kishin vërtetuar gjininë,
Ashtu si kish bërë faraoni në Egjipt **
Kishin bërë edhe këta për Serbinë. ***
Të fiksuar si edhe faraoni vetë
Për vrasjen e meshkujve kishin qëlluar,
Por, këta në fund të shekullit XX
Dhe në Evropën e iluminuar.
Kur isha e vogël nuk po kuptoja
E kërkoja babain tej shtëpisë,
Deri sa mësova që të ëndëroja
Dhe ta takoja në qiellin e lirisë.
26 dhjetor 2015
*Vajza shtatëmuajshme e Valdet Kastratit nga Fusha e Pejës, shpëtoi nga masakrimi, vetëm pasi terroristët serbë, e kishin vërtetuar gjininë e saj, pra që ishte femër. Ndërsa babain e saj dhe të gjithë meshkujt e tjerë të familjes Kastrati, (Sokolin, Xhaferin,Valdetin, Adrianin dhe Albanin) bashkë me nikoqirin e tyre, boshnjakun Hasan Muratagiqin, i kishin ekzekutuar.
** Faraoni, sipas Shpalljeve të Shenjta, i vriste të gjithë meshkujt që lindin në familjet hebreje, ndërsa vajzat i linte të jetonin. Moisiu (Musai) shpëtoi falë Vullnetit Hyjnor dhe pastaj u bë profeti që çliroi izraelitët nga robëria e faraonit dhe u bë shkas që faraoni të përmbytej, të poshtërohej e të mbetej në kujtesën e njerëzimit si simbol i mendjemadhësisë dhe mizorisë.
*** Masakrat e policisë, ushtrisë dhe forcave të tjera paramilitare terroriste serbe kundër popullit shqiptar në Kosovë në vitet 1998 e 1999 janë bërë nën sloganin “Za Srbiju!” (Për Serbinë!)/ KultPlus.com