21 Gusht, 2018 - 12:30 pm
Poezi nga Edi Shukriu.
Sulmi i policisë serbe në lagjen Ulpiana të Prishtinës, 25 shkurt 1990.
Ora policore: 21.10
Dritat e qiriut
Përshëndesin hënën
në orët e ngujimit
Në banesën e ngrohtë
dy terroriste mprehin armët
unë lexoj „Uliksin“
vajza „Borëbardhën“
TV bluan në vete
“Shtëpinë për varje”
Ora policore: 21.30
Vetëtima çan qiellin
e predhat nga tanket
vjellin zjarr
në bebëzat e syve
Nata bëhet çmendi
e egërsisë së shekujve
dhe futet në banesë
pa fije turpi
Plumbat lotësjellës
përhapin helm
e nuk di
ka më shumë në ajër
apo në brendi të mitrës
Frymë, frymë!
tmerrohen muret,
vazot lotojnë dhunshëm,
qiriri drithëron vdekshëm
e Satiri zhvesh lëkurën
Frymë, frymë!
klith për veten
si bishë njerëzore e pashpresë
duke harruar frytin
Ora policore: 22.30
Nuk dëgjohet më cicërimë
zogu njëjavësh i ditëlindjes
ka shtrirë krahët
e përshëndetjes së fundit
Ëmë e bijë
hidhemi në përqafim –
loti i hidhërimit
dëbon lotin e helmit
lotët e frikës
bëhen lot dashurie
në natën e egërsisë serbe
Fati që nuk ishim zogj!
Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001. /KultPlus.com