19 Qershor, 2024 - 9:53 pm
Arbër Selmani
Feja nuk m’i lindi këngët, mendimet, pranimin, sigurinë.
Profetët pastruan vetëm pasqyrat e tyre
Imamët mbollën veç në kopshtet që kishin
Budistët as ujë për mëshirë nuk më dhanë
Të krishterët gjithmonë më harruan, më zvogëluan
Hoxhallarët qëndisën xhemperë, kurrë për mua
Pastorët shtypën dritën e hyjit tim
Myslimanët ma duan dënesën, vdekjen, pendesën
Gurutë më lanë jashtë poezisë së shenjtë
Myftinjtë bëjnë gjumin në kurriz të sëmundjes sime
Shamanët ankohen për Diellin tim, për çakrat e mia
Murgjit kërkojnë të m’i qepin buzët
Kantorët vjellin mbi letërsinë e letrave që shkruaj.
Feja ma ndalon ta dua tjetrin, atë që dua
Liderëve nuk u puthen idetë
Edhe puthjen feja ma ndalon me vulë
Teologjia më jep veç lot.
Ka një jetë që feja nuk më merr poshtë çarshafit të njerëzisë,
çarshafit të dashnisë./ KultPlus.com