2 Dhjetor, 2017 - 4:34 pm
Poezi e shkruar nga Afrim Maliqi, ish gazetar i Rilindjes. Sot bëhen 19 vite nga rënia heroike e dëshmorëve Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.
(1 maj, 1987)
Nëpër muzikën e fatit të kurdisur me pahir
Udhëtimin e bëre bukur majë gishtash me drojë
Balerinë e heshtjes së rëndë, heshtjes symadhuar
Zymtisë së kësaj skene hidhesh tërë shkëlqim
E lehtë e rrezore e tejdukshme qelq i larë
Mbi këtë rrafsh të përçudshëm e të vrarë mallkimi
S’di ç’do të gjejmë për të puthur, për të sharë e vrarë
Drama luhet vetëm një herë e tërë jetën është premierë
Balerinë e heshtjes së kobshme, heshtjes së bukur
Fluturake e lehtë nëpër skenën e kuqe gjak
T’i krijojmë sytë shpinës në këtë lojë tehianë
Rrugës duhet t’i biem deri në fund pa i humbur ëndrrat
Premierë është gjithçka, jeta dhe vdekja premierë
E secili gabim është i ri i krijuar rastësisht
Edhe pylli i zi përtej zemrës e mallit e zjarrit
Ç’do gjë është më e re se ne në këtë rrafsh shqetësimi
E udha duhet të bëhet deri në krye të shkallëve
Edhe zvarrë po t’hiqemi deri në ballkonin e lumturisë.