20 Tetor, 2017 - 9:37 pm
Poezi e shkruar nga Edvin Kukunja
filli është i shkurtër
ka shumë mundësi të këputet…
ajo nuk njihte detin
ecejaket borgjeze në rërën e lagët
as ai nuk e njihte detin
por njihte atë
dhe buzëqeshjen e saj e kish
të ngulitur në shpirt tashmë
do të duhemi, i tha me zë të mekur
do të duhemi përtej kohës
që na takon
deri atëherë kur veç kujtimi
shqiptimi i emrave tanë
nga buzë të panjohura
ardhmurisë prej nesh të ketë mbetur
buzë detit ai e dinte mirë
veç aty mund të jepeshin
kësilloj premtimesh
pa asnjë dyshim, pa asnjë frikë
veç aty mund të hidhej përtej
dëshirë e vazhdueshmërisë
filli mund të këputet
por edhe po u këput
nuk do të ketë aspak rëndësi
unë e hodha grimcën
brenda teje, atë ç’ka prej tyre mbeti
emra në buzët e mia
dëshirë e dashuri
për jetën dhe shkëndijën
që ne mbartim në gji