8 Janar, 2020 - 5:00 pm
Poezi nga Xhevahir Spahiu
I thanë fjalës: tani je e lirë
Po fjala s’kish fuqi t’u thoshte: nuk më duhet
E ç’më duhet
kur s’u thashë atëherë kur duhet?
Kam mbetur pa krahë,
Kam mbetur pa qiell,
Jam jetë pa ëndërr,
Jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë
Vështirë, tha fjala, sa vështirë
Të besosh se je e lirë;
Pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
Pasi ke mbetur cung
Dhe liria bëhet burg.
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu:
S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhëton
I thanë fjalës: ti je liria
Për ta kuptuar këtë duhet fare pak
Ajo e besoi,
Ajo hapi gojën,
Por në vend të tingujve
Prej saj doli gjak./KultPlus.com