21 Qershor, 2020 - 6:00 pm
Poezi nga Ajne Ibërhysaj
Errësirën e natës e trazon vetëm hëna
E heshtjen e fjalës e zgjon vetëm fjala
Mbi gjoks përpëlitet zhurma e saj
Jeta si fjalëkryq shëtit me enigmën
Mendimet përqafohen e thyhen me dritën
Me mijëra pjesë e përmasa pasqyrohen
Hartë e fshehtë shpirti nën vulën e sakramentitit
Rrezet bien mbi lignum vitae e loti e njomë gjethet
Për çudi i kap rrezet i mbledh në pëllëmbë të dorës
E fjala e zemrës le të digjet me lindjen e diellit
E vë dorën mbi gjoks të qetësoj puhizën e mendimeve
E zgjodha për ta shijuar zjarrin e Neuronit
Vegimet humbasin e mbesin nëpër errësirë
Ardhja i puth gjurmët e pafundme të vargut
Vargjet shëtisin nëpër labirintet e kokës
Ndoshta diku do tretën me erën e fjalës
Vargu si epsh i adhurimit si dhuratë i bëhet dhimbjes
E zgjon qetësinë brenda shpirtit me aromën e harresës
Fjala e ka syrin e rreptë e i zgjon shekujt e fikur…