3 Shkurt, 2023 - 4:28 pm
Poezi nga Mihal Hanxhari
Ku i vranë fjalët
Ku i lamë fjalët
Muzikën këngët që më s’këndojmë
Vallë u mësuam vërtetë memecë
Dhe me alarme u shurdhuam
Vërtetë biem në greminë
Dhe nuk dëgjojmë asnjë rënkim
Dhe nuk dëgjojmë asnjë gjëmim
…
Dhe ne të gjithë jemi memecë
Ngjajmë me thënegla që ven’ e vinë
Me nga një mal sipër në shpinë
Vetëm me sy do flasim vallë
Vetëm me dhembjen me ngadalë
Statuja jonë vetëm mendon
Qëndron e pret veç n’ëndrra flet
Me fjalë që buza dot s’i thotë
Ajri në grykë ka ngrirë si gur
Një mur me dhëmbje është bërë qeli
Dhe kënga brenda vajtim i zi
……………………….
O kohë më shumë do presim ne
Sa duhet të rrijë nën rër’ thërmia
Fara nën dhe sa duhet të presë
Por një mëngjes me qiell të fortë
Do mbijë çudia gjeth i vogël
Kërcell i vogël opak i gjelbër
Me rreze dielli tejpërtej
Me gjak të gjelbër lëng pranvere
Të gjitha fjalët e bëra gurë
Të gjitha fjalët e bëra rërë
Ah si do vijnë të gjitha tok
Do ngjallen fjalët përsëri
Në këmbë do ngrihen do marrin krahë
Do hedhin tej plloçën e gurtë
Me drit’ qiellor me kor qiellor
Edhe lumejtë do të këndojnë
Vala në breg do mbajë ritmin
Muzika do dalë nga ujrat vetë
Dheu do ulet më gjunjë i qetë
Dhe Aleluja Aleluja /KultPlus.com