Forcë e venitur

29 Mars, 2018 - 10:30 pm

Poezi nga Bujar Meholli

Dikur ecje gjithë krenari, gjë s’të mungonte,
notoje në famë dhe pushtet,
s’e çaje kokën për njerëzit
që donin të të afroheshin.

I injoroje dhe bëheshe sikur asfare s’i dëgjoje…
Mbrëmjeve dilje për ta ngrënë darkën në restaurantet luksoze,
qejfi të bëhej kur kamarierët shihnin nga ti me drojë, e për ty
ishin në shërbim, njëzet e katër orë…

Nervat t’i ngrinin leckamanët kur në xhamat e sates zyrë,
kacavirreshin dhe prej teje ndihmë e çare kërkonin.
Bah!

Pikërisht atëherë ti rrufisje kafenë e mëngjesit,
dhe ta njomnin shpirtin tingujt e Shubertit.

Veçse, shëndeti i mallkuar lozi keqas me ty,
ta ligështoi trupin dhe t’i pështjelloi mendimet,
e tash s’je në gjendje të bësh më asgjë,
anipse një grup vashash derën ta kanë zënë.

Atyre s’iu bën fare për ty, të bëjnë lloj-lloj lajkash,
dhe kartën bankare ta kërkojnë,
por ti s’mund t’iu bësh gjë,
veç t’i aprovosh kërkesat e tyre,
pastaj t’i shash nëpër dhëmbë këto dhembje e sëmbime, që
shpirtin ngadalë po ta pakësojnë dhe drejt mbarimit
po ta çojnë!

Si e ndien veten, tani?
Kur e sheh se fjala s’po të shkon,
pushteti krejtësisht të ka lënë,
dhe tani je veç një shpend në kafaz, i zënë!

Prishtinë, mars 2018

Të ngjajshme