9 Prill, 2025 - 6:05 pm
Poezi nga Lorenta Ibraj
Unë lahem buzë lumit i zhveshur,
i zhveshur kam kohë që jam.
Nën dritën e hënës së heshtur,
dy fjalë kam për t’i thanë.
Fjalët kanë kohë që janë prerë,
goja me fjalën se qet;
lumi sa niset të rrjedhë,
diçka e ndal e e pret.
Nuk është Eufrati kjo rrjedhë;
pavdeksinë nuk po ëndërroj.
Kam ngelur Gilgamesh i shkretë,
jetën në vdekje kërkoj.
Frikë as vdekje nuk ka;
frika nga vdekja s’më tremb.
Vetëm dy sytë e saj,
sytë e saj si gjemb.
Gjembat të therrin, gjak;
po gjaku me sy nuk shihet.
Lufta e saj me mua
brenda në zemër fshihet…/ KultPlus.com