3 Qershor, 2021 - 10:00 pm
Poezi nga Nerimane Kamberi
Udhëtimin e fundit kur ta bëjmë,
atë të pa kthim
ta bëjmë me muzikë,
se tërë jetën muzikën e kemi dashur.
Të lëmë amanet që të na përcjellin
në banesën tonë të fundit
me ca ciganë të hareshëm,
me tingujt e fizarmonikës e të violinës,
me valltare flokëgjata, të veshura me fustana plot ngjyra.
Kortezhi të ndalet në çdo shtëpi,
të atyre që na kanë dashur, e që i kemi dashur
edhe të atyre që s’na kanë dashur, nuk bën të mbahet inat.
S’na kanë dashur se s’i kemi dashur,
Se kanë dashur që t’i duam.
Dikush do të hjek kapelën, dikush shaminë,
e dikush do të ngre dolli,
përmes dërrasave të shohim fytyrat e pikëlluara,
lotët në sy,
e aty këtu maskat dhe buzëqeshjet e rreme.
Tak, tak, tak, vazhdoni rrugën.
Deri atëhere, t’ i përgjigjemi ftesës së Kafavisë,
e të Bodlerit,
të marrim udhën plot dritë e diell
të bëjmë bashkë det e qiell, e nga bukuria të dehemi
në Itakat ku ndalemi.
T’i jepemi zjarrit e afshit, e të lodhur e të ngopur
të pushojmë aty ku ka qetësi, kënaqësi dhe dashuri,
dashuri, kënaqësi e qetësi. / KultPlus.com