31 Tetor, 2017 - 9:23 am
Kjo është poezia fituese e ‘Takimet e Poeteshave’ e shkruar nga Arlinda Baftiu.
I butë fustani i nanës si zemra e çikës,
i kuq si turpi që ulet mbi qerpik,
i bukur,
i bukur si pranvera e hershme,
rrej gjerdanit me lule, lule shumë,
vjen tue u ngulfatë shtëngut për kërthizë
ku këputen kordelet e lidhuna nyje për shpirti,
e mbasandaj zvarritet fundit të këmbëve me një dantellë të zbehun që ka marr pluhnin e viteve,
të shkelun me thembra të lodhta….
Nana ka dashtë me ma falë,
e kam veshë kur isha lule pranvere
e rrotullohesha me sy kah qielli
tue i davarit dantellat në ajër bashkë me gazin e fëmisë
Tue u rrit stina, nisa me i njohë aromat e jetës,
fustanit të nanës i vike era kujtime të shkrumosta,
i vike era andrra të djeguna,
shpirt i ngulfatun,
zbehun ish lâ me lot.
Nanë, nuk po më bjen tamam,
asht i ngushtë e i madh për zemrën teme
asht i ftohtë e i lagshtë për ditët e mia
asht i zbehun për dritën që due nanë,
po m’i merr kambët, jam rrxu, jam përgjakë me fjalt’ e plakave,
nanë, un u zhvesha
fustanin e kam palue
në dollapin ku m’i ke lanë ato gjanat që na bajnë ma të forta../ KultPlus.com