16 Janar, 2018 - 9:39 pm
Nga David Staka
Gardalinë moj Gardalinë
me at’ kangën tande t’lumtun
ma kujton ti mu rininë
ma kujton Shkodrën e bukur.
Sa herë nadje jena çu‘
me kafaza e lule dillit
veç me xan’ Gardalina
n’katër t’nadjes në zall t’Kirit.
Herë na bite naj zog i ri
herë naj nushe qi nuk na duhej
me gzim t’madh shkojshim n’shpi
knaqësia nuk pershkruhej.
Njato ishin qefet tona
Gardalina e Plluma t’bardhë
na nuk kishim trlefona
ajo kohe ma s’ka me ardhë.
Nuk e di po sa e pava
mu mbush zemra me nostalgji
m’u kujtu’ mu Shkodra jonë
m’u kujtu ajo Shqipni.
Gardalinë merrja i here kangës
si dikur kur ishim t’ri
se Shkodrani ku do t’jete
kur t’nigjon ty kalon merzi.