1 Shkurt, 2025 - 2:29 pm
Sir Geoffrey William Hill, (1932 – 2016), poet anglez, profesor emeritus i letërsisë angleze dhe religjionit në Boston University. Nga 2010 deri më 2015 ka mbajtur pozitën e profesorit të poezisë në University of Oxford. Është shpërblyer me Truman Capote Award for Literary Criticism më 2009 për ‘Collected Critical Writings’, dhe përmbledhjen ‘Broken Hierarchies (Poems 1952–2012)’.
KËNGA E SHTATORIT
lindur më 19.6.32 – deportuar më 24.9.42
Nga Geoffrey Hill
I padëshirueshëm mund të kesh qenë, i paprekshëm
nuk ke qenë. I paharruar
apo i lënë në heshtje në kohën e duhur.
Siç pritej, vdiqe. Gjërat rrodhën,
mjaftueshëm, drejt fundit.
Veç tepër Zyklon dhe lëkurë, terror
i dukshëm, tepër vaje rutinë.
(Kam bërë
një elegji për vetveten
e vërtetë është)
Shtatori i plehëron hardhitë. Trëndafilat
ciflosen nga muret. Tymi
i zjarreve më të rrezikshme mblidhet në sytë e mi.
Kjo është tepër. Kjo është më shumë se e mjaftueshme.
Shënim:
Siç pritej – As estimeted – Fraza e dhënë në përkthim mbase s’e përçon gjithë logjikën e ftohtë kriminale të përgatitjes së krimit. Do të mund të përdoreshin edhe fraza të tjera, më të përafërta: siç ishin bërë vlerësimet, siç ishin bërë llogaritë, etj.
Terror i dukshëm, në origjinal patentet terror – Patent është si, em: patentë, ashtu edhe mb: i dukshëm. Loja e fjalëve mund t’i referohet si të qenit sui generis të Holokaustit, ashtu edhe faktit të thjeshtë se ishte një terror në sytë e të gjithëve.
September Song
born 19.6.32—deported 24.9.42
Undesirable you may have been, untouchable/ you were not. Not forgotten/ or passed over at the proper time.// As estimated, you died. Things marched,/ sufficient, to that end.// Just so much Zyklon and leather, patented/ terror, so many routine cries.// (I have made/ an elegy for myself it/ is true)// September fattens on vines. Roses/ flake from the wall. The smoke/ of harmless fires drifts to my eyes.// This is plenty. This is more than enough.
Koment:
Nga Molly Abel Travis
Kënga e shtatorit e Geoffrey Hill-it, e botuar për herë të parë në vëllimin e tij me poezi, ‘King Log’ (1968), është një elegji e shkurtër e shkruar për viktimën e një kampi përqendrimi. Poezia rilidhet me temën e poezive të hershme si “Two Formal Elegies.” Karakteristikë e metodës së Hill-it, manifeston ngjeshjen e shtresave të domethënies në fjalë të thjeshta mashtruese, ironi (përfshirë ironinë në adresë të vetë motiveve të tij estetike) dhe një ndryshim kompleks i tonit që rezulton në ambivalenca të mjaftueshme për të shkaktuar interpretime dukshëm të ndryshme.
Vargu i parë i poezisë, “Undesirable you may have been, untouchable/you were not. Not forgotten/or passed over at the proper time,” përçon ironinë në baraspeshë mes “undesirable” dhe “untouchable” si dhe me “not. Not …”. Në vargun e tretë “passed over” aludon te Pashkët hebreje (Passover), por në këtë rast është një ndërrim fjalësh ironik i hidhur. Implicite te ndërrimi i fjalëve është një temë e shpeshtë në punën e Hill-it rreth rrugëve misterioze të Zotit. Murtaja e Zotit tek egjiptianët rezultoi kërdinë e të pafajshmëve po aq sa të fajtorëve. Tri instanca të kërdisë në masë konvergjojnë në këto vargje: murtaja egjiptiane, vrasjet e të pafajshme të Herodit dhe Holokausti.
Si një martirologjist, Hill fokusohet te viktimat dhe viktimizuesit përmes historisë. Shumë komentues të kësaj poezie, duke filluar nga Christopher Ricks, kanë vërejtur se Hill-i nuk e kufizon përdorimin e fjalës ‘holokaust” vetëm te hebrenjtë. Ai e pranon rrezikun e trajtimit të kasaphanës naziste si një shkarje që s’arrijmë dot ta kuptojmë, njëfarë lloj mizorie që kurrë më s’do të përsëritet. Gjithherë syçelë ndaj arsyetimeve të sofistikuara dhe shmnagia nga të vërteta e rënda, Hill-i e kupton se Zgjidhja finale naziste nuk ishte e pakuptueshme, por ishte një formë e arsyes e çuar në ekstremet më të urryeshme, një arsye instrumentale ku qeniet njerëzore mund të asgjësohen dhe bota natyrore të shkatërrohet si një mjet për një qëllim të planifikuar në mënyrë racionale dhe shkencore.
Vargjet e tjera në vijim të poezisë përmbajnë disa fjalë dhe fraza që përçojnë ritëm rrjedhës të matur dhe kjo pasqyron shndërrimin e qenieve njerëzore në gjëra në një proces të mekanizuar çnjerëzues të shfarosjes nga një makinë naziste:
As estimated, you died. Things marched,/ sufficient, to that end./ Just so much Zyklon and leather, patented/ terror, so many routine cries.
Rutinë e dukshme, efikase – gjëra rrjedhin. Vlerësuar, mjaftueshëm, vetëm tepër – matematikat e vrasjes në masë ishin praktikuar.
Papritur Hill-i e ndërpret poezinë me një shkëputje të vetë-vetëdijshme nëë paranteza: “(I have made/an elegy for myself it/is true)”. Duke ardhur pas shtatë vargjesh të dendura dhe të kontrolluara fort të shpërndara në një apostrofim mbi viktimën e kampit të përqendrimit (“ti”), këto tri vargje në kllapa trondisin. Ato janë dukshëm rrëfyese dhe sillen në një mënyrë ngurruese, të shkurtër, duke e bërë lexuesin të belbëzojë dhe të rrojë me poetin në njëë moment vetë-vetëdijeje derisa ai ta shqyrtojë marrëdhënien e tij me viktimën. Epigrafi na tregon se viktima ishte “lindur më 19.6.32” – një ditë pas ditëlindjes së Hill-it.
Disa lexues kanë pyetur cili ishte qëllimi i Hill-it kur identifikohej me të deportuarit e kampit, posaçërisht duke pasur parasysh se ai është anglikan rregulltar. Kjo disi na e kujton pranimin ironik dhe kundërthënës të hebraizmit nga Silvia Plath, si një figurë e vuajtjes të personit të saj në ca poezi si “Daddy” dhe “Lady Lazarus”. Dallimi qëndron, mund të themi, në përdorimin e ironisë te të dy poetët, me Hill-in që bëhet më i vetë-vetëdijshëm. Ai s’do mend po përshkon një terren poetik të frikshëm për të na e demonstruar rrezikun e përvetësimit të tragjedisë së dikuj tjetër si lëndë të një elegjie të sajuar. Një përvetësim dhe trivializim i tillë, që ai e ka quajtur “mizori e gjuhës”, sjell një letërsi klishesh dhe sentimentalizmash. Hill-i kurrë s’e lë pas mendsh rrezikun e marrjes së gazit cyklon dhe tymit të krematoriumit dhe të shkruarit të një poezie lirike me to. Sado që lexuesi e dëgjon një rrëfim, “I have made/an elegy for myself it/is true”, tri fjalët e fundit po ashtu sugjerojnë se elegjia – pavarësisht se është shkruar për veten e tij – është e vërtetë, si dëshmi e të vërtetës historike të tmerrit të Holokaustit. Poezia e bën të qartë se elegjitë janë përherë të menduara për të gjallët.
Ka po ashtu shumë komente rreth vargut të fundit ambivalent, “This is plenty. This is more than enough”. Vargu vijon logjikisht nga rrëfimi në kllapa, sidoqoftë për Hill-in evokon pranimin se elegjia është gjithmonë dhe gjithsesi e papërshtatshme si komemoracion. S’mund ta kthejë kurrë mbrapa të vdekurit, s’mund ta çlirojë viktimën, ngase të vdekurit kanë shkuar dhe ne jei të kurthuar në të tashmen e plotë dhe të bollshme të një dite shtatori. Këtu shtrihet kufiri i poezisë si dëshmi dhe si antidot i harresës historike.
/Poezia është marrë nga Geoffrey Hill, ‘Broken Hierarchies – Poems 1952-2012’, Oxford University Press, 2013./Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com