5 Dhjetor, 2023 - 10:35 am
Sali Bashota
Dikur më pëlqente shikimi i syve
Dhe fishkëllima e erës në mesnatë
Hëna që buzëqeshte midis yjeve
Më pëlqente edhe fjala uratë
Tani malli ka emrin e vet
Kur e marrim me vete çdo mbrëmje
Fjala e ëmbël nga durimi pëlcet
Sa herë e ndiejmë të njëjtën dhembje
Dikur edhe nata kishte frikë
Si ndonjë çast i zemëruar
Ndoshta vetmia më nuk ik
Ndoshta nostalgjia na ka harruar
Tani përse e fshehim zjarrminë
Sikur ëndrrën e dremitur
Prapë e ndiejmë të njëjtën drithërimë
Kur ti thur gërshetin e mërzitur. / KultPlus.com