16 Maj, 2018 - 6:24 pm
Poezi nga RUMI / Përktheu: Rozafa Kelmendi
Ka ëmbëlsi të fshehur në zbrazëtinë e barkut.
Ne jemi lahuta, as më shumë, as më pak.
Nëse kutia e zërit është e mbushur plot me asgjë, muzikë nuk ka.
Nëse truri dhe barku digjen pastër
me agjërim, çdo çast një këngë e re del nga zjarri.
Mjegulla pastrohet, dhe një energji e re,
të bën të nxitosh hapat që para ke.
Kur agjëron, zakonet e mira mbledhen si miq që duan të ndihmojnë.
Agjërimi është unaza e Sylejmanit. Mos ia fal atë
ndonjë iluzioni dhe të humbasësh fuqinë .
Por edhe nëse ke humbur gjithë dëshirën dhe kontrollin,
kthehen sërish, kur të agjërosh,
si ushtarë që shfaqen nga toka,
me flamujt që u fluturojnë sipër.