Gilan, sonte qetë frymon

21 Gusht, 2020 - 11:13 am

Poezi nga Alketa Spahiu

Gilan, jemi binjake monozigote,
edhe pse shpirtrat
në parcela ujdhesash i kemi ndarë,
ah gjeodetë, si dështuat kështu
matjet e dashurisë tejkalojnë atlaset e mallit.

Gilan, sonte qetë frymon,
pa makinat e zhurmshme, ecejaket e te rinjëve,
pa dashuriçkat që bëjnë xhiro në ajër,
pa kujtimet që palohen lehtas në arkat e pajës së vajzave,
më jep sinjal qe je mirë, qyteti im,
mua që t’i njoh edhe dihatjet e melodive,
nën kalldrëmin shekullor
të eklipsuar padrejtësisht
nga asfaltet e atyre që makthet i kanë ëndrra.

Ndaj me mua sekretet nga bodrumet e zemrës,
ashtu si vajzat adoleshente
kur pëshpërisin me shoqen e bankës,
ty qe u mësova të të dua, pa e ditur ç’është dashuria,
në ty linden dëshirat,
fare lehtë, pa prerje cezariane,
për të ikur larg,
për të të dashur më shumë
pa e ditur ç’është dashuria. / KultPlus.com

Të ngjajshme