Gjergjit!

27 Maj, 2024 - 12:18 pm

Liridon Mulaj 

Mbi kreshtat e botës gjenden majat
e zbardhura, të pashkelura
dhe mbi syprina të rrëshqitshme,
hapat nuk ndjekin askënd.
Dita fillon e mbaron, por
mendimi zgjatet
e çdo zgjatim i tepërt, është kthim
te vetja.
Hidhu mbi iluzione, e në mos gjetsh
asnjë imazh për të qënë, krijoje!
Braktisi të gjithë e në të
gjithë shpreso!
Ik, kthehu dhe sërish ik, sikur nuk
do të kthehesh më kurrë!
Por kokën Gjergj, mbaje pas
dhe ndiq kurbat e jetës me shpirt në
dorë, e sytë hapur…
Se, jeta është lisharëse, njëherë të
ledhaton ajri e më pas dheu.
Por, ti mos ki frikë babush, Jeto!
Dorëzohu mbi epshe e falju vetmisë,
Se, fundja instikti edhe pse i
pavullnetshëm,
fijet i ka në zemër.
Shpreso edhe në puthadorë të
mjerë, mos refuzo askënd!
Se, askush nuk është tërësisht i keq
e as tërësisht i mirë.
Noto mbi ajkën e bardhë e ngjitu aq
lart, sa bota të zhduket pas teje.
E në çast kur ke prekur errësirën,
hidhu mbi të
me shpresë, se në rënie do të
puthësh fytyrat e njëjta, që puthe në
ngjitje.
Se, do të prekësh të njëjtat duar, do
të shohësh të njëjtat bebëza sysh,
E të ndjesh, se askush s’të
nënçmon që po bie…
Se, je po ai që ngjiteshe më parë.
Thjesht kurba të ka ndryshuar!

Çmimi ” Poezia më e bukur” i jepet Liridon Mulaj me poezinë “Gjergjit” Me motivacion: Për ndjeshmërinë dhe nuancat estetike që u përçuan plot emocion dhe përjetim në veprimtarinë ” Netët Korçare të Poezisë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme