Gjithçka është ëndërr

21 Mars, 2025 - 12:50 pm

Serafina Lajçi

Gjithçka është ëndërr,
më thua dhe nata shtrihet mbi shpirtin tim si një lëkurë e huaj.
Prek veten,
jam ajër shoh hijen time është hije e dikujt tjetër.

Më ke parë ndonjëherë në dritë apo vetëm në hijen e syve të tu të lodhur?
Më ke dëgjuar në fjalët që nuk t’i thashë apo në heshtjen që rëndon mes nesh si një peshë e padukshme?Gjithçka është ëndërr,
më thua por nëse gjithçka është ëndërr, kujt i përkasim?

Dhe nëse nata s’ka kufij, ku tretet hija ime?
Ku fillon harresa, ku mbaron vetja?
Ec përmes kësaj ëndrre me mua mos u zgjo, mos ma shprish trajtën se ndoshta vetëm këtu jemi të vërtetë ndoshta vetëm këtu nuk ndjehemi të humbur./KultPlus.com

Të ngjajshme