16 Tetor, 2022 - 8:39 pm
Lasgush Poradeci
O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot.
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,
O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot…
Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze tuaj,
Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë
Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj…
Kam mbetur kaq i huaj, dh’ i ndrydhur edh’ i shkret
Prej ligjëtarës s’ate që më çudit, o zjarr!
Me gjuhëra prej flake ti djeg… ti flet… ti pret…
Do vi! do të vi pranë mjerush e dyke vuar,
E flakën vraparake nër kraha do t’a marr,
Posi kuvënd të shkruar do të t’a çik me duar.
O këng’ e shentëruar, o verb i larë n’ar.
O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar.
O fshehtësir’ e ndezur në fill prej shkrepëtime.
Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë,
Posi një kraharuar ti dhemb, o Gjuhë-e zjarrtë,
Posi kullim’ i gjakut që rreh në zemër time.
Ti ndrin në thelb të jetës si dritë-e përvëluar,
O gjuhë-e zemrës s’ime, o mos-e kuvënduar./ KultPlus.com