Gratë

24 Prill, 2020 - 2:30 pm

Poezi nga Janis Ricos
Përktheu: Edon Qesari

Shumë larg na rrinë gratë. Çarçafët e tyre erëmojnë natën e mirë.
Vënë bukë mbi sofër që të mos ua ndjejmë mungesën.
Pastaj kuptojmë se qemë gabim. Ngrihemi nga karriget dhe themi:
«Je shumë e lodhur sot», apo «ja, e ndez unë kandilin».

Kur ndezim shkrepsen, ajo kthen krahët me hijshi, e shkon
me një përkushtim që s’gjen shpjegim drejt kuzhinës. Kurrizi’ saj
është një mal i vogël, i trishtë, përplot me të vdekur –
të vdekurit e oxhakut, të vdekurit e saj dhe të tutë.

Dëgjon hapat e saj të kërcasin mbi shtrojën e vjetër
dëgjon dënesën e enëve brenda bufesë dhe pastaj tingullin
e trenit që merr ushtarët për në brez të luftës.

Të ngjajshme