27 Shkurt, 2018 - 8:07 pm
Poezi nga Lasgush Poradeci.
Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t’ënd ti mban
Një faj për jetë.
Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.
U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S’të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë:
Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarrësh un’i ziu
Mi buzë varri!
E nuk më dhemb aspak
Një vdekje-e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;
Ndaj hoqa rëndë-ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu
Për dashurinë;
Për dashurinë-o Zot,
Që shemb një burrë,
Që s’e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;
Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplotë!
Me dritën drejt-për-drejt
Nga drita jote!
Që qesh e qan e zjen,
E s’jep të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s’vdes perjetë.”
1940 – Viti kur u shkrua poezia