Grua

12 Tetor, 2019 - 11:00 pm

Poezi nga Suela Bako

Grua!
Gush’aromëftua,
A s’më thua?
Si ja del, e uruar?
Të qëndisësh,
Të arrnosh,
Të gatuash…
Të lash
Të pastrosh
Të kruash…
Të shëtisësh
Të vraposh
Të luash…
Të mësosh
Të edukosh
Të duash…
Të rritesh
Të rrisësh
Të vuash…
Të piqesh
Të pjekësh
Të tëhollësh
Grua!
Sisëkrua,
A s’më thua,
Si ja del, e lëvduar?
Qumështuar,
Lëngëzuar,
Buzënjomur,
Shterzuar,
Duarshtruar,
Këmbëshpejtë,
Kofshëdrejtë,
Vithepërpjetë,
Vetëndjellur,
Ëndrragjerbur,
Gjumëpafjetur,
Flokëkrehur,
Vetullhequr,
Gojëmbël,
Fjalëtretur,
Sherr’sosur,
Sherr’nisur,
Buzëqeshur,
Djersur,
Plakur,
Rudhur,
Çelur,
Kuisur,
Dhimbsur…
Grua!
Sa të dua!
Kur të shoh e thua;
Jam!
Kam!
Dua!
Bëj!
Them!
Vrapoj!
Punoj!
Mendoj!
Lexoj!
Jetoj!
Lind!
Ushqej!
Dashuroj!
Flirtoj!
Përpij!
Arrij!
Zbukurohem!
Ndriçohem!
Plotësohem!
Eksitohem!
Kam uri!
Kam etje!
Kam dëshirë!
Grua!
Qofsh bekuar!
E uruar! E lëvduar!

Të ngjajshme