1 Shtator, 2024 - 10:00 pm
Poezi nga Rozafa Shpuza
Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue
zhumhurin qytetas
që klithë me za krejet prej altoparlantësh shakshi,
t’varun si kurbanë modernë tallavashë.
Kanga e bulkthit ju pergjet jehonave
që s’kanë të tashme
veç përshkojnë si rruzat në filispajë
të shkuemen deri tek e ardhmja…
Qyteti kalamendet n’jerm
n’qasje të mirazheve sonambul
kur hapëzojnë me duer para kah andrra.
Unë jam ajo radioja zaçjerrë
me dy butona me frekuenca të fashituna kaherë,
që sillen papra’ në kërkim të nji stacioni me destinacion të pacaktuem./KultPlus.com