1 Gusht, 2022 - 11:08 pm
Poezi nga Rozafa Shpuza
Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue
zhumhurin qytetas
që klithë me za krejet prej altoparlantesh shakshi,
t’varun si kurbanë modernë tallavash.
Kori i stonuem i tellallëve s’ka të tashme
veç përshkon si rruzat në filispajë
të shkuemen deri tek e ardhmja.
Kalimtarët frymojnë si n’jerm
n’qasje të mirazheve t’zhegintuna
teksa kalamenden pergjatë pjacës
te dekorueme me grrila brinjthyem.
Unë jam ajo radioja zaçjerrë
me dy butona frekuencash
me kode t’fashituna kaherë,
që sillen papra’ në kërkim
të nji stacioni qe m’pret qyshkur / KultPlus.com