9 Janar, 2023 - 5:30 pm
Poezi nga Plator Gashi
nuk shkova, po më muer era për dore
siç e merr tymin e duhanit qi të del buzësh
tek më difton, në ndonji ballkon ku menxi na nxen hapin,
për zhgënjimthet ditore e mallin për të papërjetuemen,
qi trupëzohen si nji lot i vetëm qi të rrjedh nga bishti i synit
e përshkëllihet në mollëzën teme tek më merr ngrykë
e zhdukesh në anën tjetër të xhamit.
më çoi aty ku e çon çdo plaçkë tjetër:
në vendin e njajtë
por dukshëm të lënduem nga gërvishtjet e degëve,
dhe të shkulun nga toka e bukës
me rranjët përjashta, ku prehen krymba e ushunjëza
po ma nuk më pengojnë.
habi asht takati për me u zvarritë tutje
tu e ditë se prapë kam me e kapë erën për dore
e ka me m’kapërhedhë nëpër kunora lisash
për me ra sërish në tokë, me grritha të reja në mollëza,
tu e lypë lotin e huej me u terë mbi lëkurën teme
e me e harrue kur edhe nji herë tjetër njomet faqja.
herën e fundit rashë në nji zabel, rranjët jashtë si gjithënji
e i pashë së largu do fluturashka prushi qi më grishnin.
vuna re flakët e nji zjermi bubulak të braktisun qëmoti
dhe erën qi përpiqej me e kapë për dore e me ia hjekë flamën;
përpëlitja vazhdoi me orë të tana, po zjermi nuk dorëzohej,
madje bahej ende ma madhështor nga dora e kobshme
e erës qi, tu dashtë me e shkymbë, vetëm sa e fisnikonte.
pasi fitoi bejlegun, iu afrova zjermit për me marrë mësim
po kështu u thanë përfundimisht lotët e pështyma e huej
qi peshonin mbi cepat e buzëve të mia. / KultPlus.com