25 Tetor, 2020 - 4:38 pm
Nga Ardiana S.Prishtina
(Demaçit)
Prishtina, ka kohë, qi nuk maron mure
nëse brenda tyne s’kanë me jetu
perde të rudhuna në bardhësi të randë
të harresës. Kështu qi
s’ka vend për nji përmendore për ty
në qytetin tand. Edhepse
bash me ju tekë kujt me pushtet
qi mun bahet edhe ma i pushtetshëm
edhe ta ban nji përmendore
në kurriz të emnit tand. Ta ban. Ta ban.
Ama, be të baj në çka të duesh
e be të baj në daç edhe në plagët e kamëve
të krejt kojshive të tu që i ke përcjell
me zemër të plast për Turqi,
përmendorja ka me qenë e shëmtueme
si fëtyra jonë e përhumbun, ty
kurrë pa të njoftë.
Kështu qi, ma mirë qi s’ka vend
për nji përmendore për ty në qytetin tand.
Edhepse, bash me e kqyrë mirë e mirë
ky qytet i joti ma s’asht.
Prej ktij qyteti kurrkush nuk merr rrugë
gyrbeti, tue e vajtue as njerin
e le ma nji macë të dashtun
si evlad, sikur maca e hallës Naxhije
qi e ka njoftë krejt Prishtina, e loti i saj
ty tu ka ba varg e vragë
në bebza të syve.
Prishtina sot nuk e njeh kurrëkon.
E nashta ma mirë qeshtu
se sot
ky qytet
i joti, i jemi
prej secilit njeri qi e don, e veç pak
me e dashtë asht boll,
poshtë perdeve të rrudhuna
me bardhësi harrese, e ban nji gyrbetqar
qi natën s’e nxen gjumi prej ankthit
qi kanë me i metë eshnat në rrugë qi s’i njeh.
Prishtinën sot, kurrkush qi e don
veç pak, e pak me e dashtë
jish konë boll, ma nuk e njeh.
E qe, po ta baj un nji përmendore
qe qetu. Por, po më dokket
sikur po të ni kah më thue
me e ruejt njat guri
për rrximin tem të fundit. / KultPlus.com