5 Prill, 2021 - 1:12 pm
Poezi nga Nerimane Kamberi
Hanëmet nuk qajnë
As kur ia përmbysin botën
Që e kishin vizatu, kur ato ishin të vogla.
As kur duan ta drejtojnë botën
Njëhere, edhe njëhere, shumë here,
E nuk i lënë, e ia lëshojnë qentë.
Nuk qajnë as ëndërrat kur ia prishin,
kur ia prishin gjumin e pasditës,
me një lajm të keq.
Jo, nuk qajnë, se hanëme janë,
Edhe kur i thonë se hanëme nuk janë,
në njëfare mënyre, tërthorazi, me dinakëri, me qesendi, me xhelozi e me mëri.
Jo, hanëmet nuk qajnë
Veç e kafshojnë buzën
Tu i ble mimozat e para në shesh, kur kalldrëmet janë ende të mbuluar me borë
Hanëmet heshtin, shtrengojnë fort shallin e mëndafshtë në xhepin e palltos së shtrenjtë.
Lëshojnë çantën e rëndë, të lëkurës, në tokë
Lëshojnë një ofshamë, lëshojnë krahët, e lëshojnë tërë trupin,
E prapë drejtohen, drejtojnë trupin, drejtojnë botën.
Jo hanëmet nuk qajnë.
Hanëmet mallkojnë. / KultPlus.com