27 Shkurt, 2023 - 11:48 pm
Shoqata Kulturore “DITËT E AGIMIR” e mbështetur nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka njoftuar se tashmë ka hapë thirrjen për konkursin poetik që i dedikohet heroit të kombit Agim Ramadani, konkurs që sipas rregullave, poetët duhet të konkurrojnë me shifra, jo me emër e mbiemër.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin për këtë konkurs poetik.
Me rastin e 60-tw vjetorit të lindjes së heroit të kombit, strategut të Betejës së Koshares, shembjes së kufirit ndarës mes shqiptarëve, Agim Ramadanit, Shoqata kulturore “DITËT E AGIMIT”, e mbështetur dhe nga Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, shpall konkursin poetik për poezi, për të gjithë poetët e hapësirës shqiptare dhe poetëve që veprojnë e krijojnë nëpër botë, në nderim të kësaj figure madhore të kombit, të luftës së lavdishme çlirimtare dhe të nderimit e begatimit të letërsisë shqipe.
Tema e konkursit është e lirë por, preferohen dhe poezitë përkushtuese për luftën tonë për liri, pavarësi e integrim kombëtar si dhe figurën e ndritshme atdhetare, krijuese e flijimtare të Agim Ramadanit.
Organizatori, përmes një Jurie profesionale nga fusha e letërsisë, do t’i nderojë me çmime, tri poezitë më të mira si dhe do t’i përfshijë në Librin “AGIMI I LIRISË SONË ”, të gjitha ato poezi që i përmbushin kriteret artistike për botim. Çmimi i pare- 500 €, Çmimi i dytë 300 €, Çmimi i tretë 200 €.
Poezitë, të cilat nuk duhet të kenë më shumë se 30 vargje dhe patjetër ME SHIFËR, dërgohen përmes postës së rregullt, në adresën e Shoqatës Kulturore “DITËT E AGIMIT” në Zhegër si dhe përmes postës elektronike [email protected] më së largu deri më datën 11 Prill 2023.
Rezultatet do të shpallen më 23 prill 2023, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, kurse poezitë fituese dhe ato që përzgjidhen për lexim, do të paraqiten në Manifestimin tradicional “Ditët e Agimit”, përkatësisht në pjesën letrare të këtij Manifestimi, MUZA E AGIMIT, e cila mbahet më 2 Maj 2023, në vendlindjen e heroit, në Zhegër, ku pritet të përurohet edhe libri, “AGIMI I LIRISË SONË”./ KultPlus.com