Hëna

16 Gusht, 2019 - 3:30 pm

Poezi nga Aleksandër Pushkini

Përse moj hënë argjendore,
ti larg nga retë pa pushim,
përmbi kanatet e dritores,
vërshon të mekurin shkëlqim?

Sa herë që më shfaqesh ti,
në shpirt më zgjohen shqetësime,
dhe brenga plot me dhembshuri,
dëshirë plot me flakërime.

Oh, ikni, ikni o kujtime!
o dashuri fatkeqe fli!
O, le të mos më shfaqet më,
të perdja e errët në dritore,
nën dritën tënde argjendore,
fytyr’ e dashur si gjithnjë,
fytyr’ e ëmbël engjëllore
e vashës që s’do ta shoh më.

O ëmbëlsi e dashurisë,
plot ledhatime, plot me gaz,
plot me shkëlqim të lumturisë,
a mund të kthehesh rishmez pas?

I shpejtë porsi një vegim,
me ndritë ti në fluturim;
U zhdukën hijet krejt papritur,
se erdh agimi menjëherë,
dhe ti moj hën’e ndritur
në qiell u mbyte atëherë!
Agimi dritën pse shpërndau?
Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?

Të ngjajshme