19 Nëntor, 2019 - 6:45 pm
Poezi nga Fjolla Rabi. Poezia është në mesin e 20 poezive më të mira në konkursin ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.
As atje e as këtu
ngadalë më vrisnin fjalët
si me thonjë me e çjerrë zemrën,
zemër për të cilën u tha që luftuan.
Luftëra të mëdha midis të qenurit njeri,
askush nuk fitoi luftën,
e cila sot vazhdon të mjeroj mijëra të tjerë,
të cilat në beteja të tmerrshme si kjo,
vetëm heshtnin,
faji u ra shpatullave.
A është faji i vërtetë i të heshturve,
të cilët mundoheshin të mbijetonin
në këtë botë mizore që i përplasi herë në një kënd të saj e herë në tjetrin.
Askush nuk e kupton botën,
botë e cila ndërron shumë fytyra,
tek njëherë thuhej se lufton për të drejta,
e herën tjetër po vrasim të pafajshëm,
po ç’qenie e pafat
herë i qesh dielli
e herë i bie breshëri.
Netë të ftohta janari
e ditë të ngrohta vere,
herë në qetësi
e herë e lënë nën monologun e fjalëve të cilat tok nuk më linin të mendoja se isha e drejtë e me vend apo jo?
Erdha e trokita në derë,
më pritën me lot që u shkonin varg si shiu e që ndërronin drejtim
nga mollëzat e buzëqeshjeve të tyre që iu vinte nga veshi në vesh,
me buqetë plot lule
e aromë të këndshme,
aromë lirie.
Jam unë paqja,
por mes gjithë atij gëzimi
lumturie e gjallërie të pafund,
thashë me vete a është ky fund i një lufte,
apo fillimi i një lufte për të qëndruar i drejtë deri në fund?