11 Prill, 2023 - 12:19 pm
Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, më i njohur me emrin e tij të stilografit Asdreni, një nga poetët më të njohur shqiptarë. I mbetur jetim qysh në fëmijëri ai u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me vështirësi, ama është pikërisht ai i cili na fali “Himnin e Flamurit” me të cilin krenohemi të gjithë.
Në këtë përvjetor të lindjes së këtij poeti të çmuar, KultPlus ju sjell poezinë “Himni i Flamurit”.
Himni i Flamurit
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.
Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.
Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne./ KultPlus.com