22 Nëntor, 2019 - 1:38 pm
Poezi nga Shqiptar Oseku
Hej o njeri, është e premte përsëri.
Këtë fundjavë mos u shtir më
sikur asgjë s’varet nga ti.
E ke botën tënde në dorë si gjithnjë:
krijoja vetes një kuptim krejt të ri për ty.
Shtrije shikimin e butë të fëmijës
e sajo gjithçka nga e para,
atome të reja, e diell në ngjyrë të portokalltë,
dëborë më të bardhë, det më blu, lule në janar
e pemë e erëra e shpendë e magji.
Bëj muzikë me poezi ose anasjelltas,
e ua vë si kupolë mbi kathedrale një qiell të ri,
me nuancat më të ndezta që di.
A të kujtohet si ishte kur re në dashuri?
Njeriu shikon befas gjithcka me sy te ri.
Gjithçka është si ka qenë e megjithate
gjithcka ka ndryshuar. Edhe ti.
Mos prano kurrë të kesh uri pa kufi,
e zemra të të mbetet bosh.
Bjer në dashuri. Merre një fe, a lësho një,
ec këmbëzbathur mbi palë ere.
Bëj të gjithë të të kenë zili.
Mbaje mend: është e premte përsëri.
Le të zgjasë kjo e premte
aq sa të do zemra ty.