27 Shkurt, 2019 - 8:49 pm
Nga Arbër Selmani.
A është dikush që e zë vendin tim
kur unë do t`jem bërë hi?
Ndoshta zogjtë e
malit, ose poezitë e Rumit
ndoshta pasazhet e qiellit
ose gurrat e ujit.
Kush do të të dojë si unë
Kur do të jesh ti instrumenti dhe vetë dora e jetës tënd?
ndoshta fjalët e bukura ose Dielli i përvluar
ndoshta fati i të mirëve dhe nata e madhe e Zotit.
I dashuri im rom, ti absoluti
buzëqeshun natë e ditë
i shëtitun në rrugët e braktisura të botës.
tkam puthë e tkam la me duart e dashnisë
por, kush pas meje?
cili i bardhë do ta dojë të zezën lëkurë, e të bardhën zemër që ma ke?
Kush pas meje?
Kush pas meje
nga ma e thella pikë e jotja do ta zgjojë ndjesinë, bishën e njeriut që u shtyp përjetë.
Cila ngjyrë e bardhë, rrena e madhe e kësaj bote
do të jetë krah supit tënd aq lehtë t`lëndueshëm?
Cili do të të kujtojë si unë
Kush do ti lexojë sytë e tu e kush do ta këndojë këngën më të bukur sic bënim ne dy
Kush e pin ujin e dhomës ku dytë u bëmë qull prej dorëzimit…
Ndoshta të nemunat e popullit tënd
ose andrrat që kurrë nuk mbytën asgjë
ose perënditë që duhet me të kërku falje me ceremoni
ndoshta engjëjt të kanë marrë për dore,
E njëjtë ki me fluturu kur unë do të jem bërë shok me trupat që ecin në eterin magjik?
Kujto, mëngjeset të lehta t’i kam ba unë
një gotë kumësht, dy vezë të thyera
tri puthje në faqe dhe një bashkim i turpshëm i gojës
idenë e dashnisë e kemi gatue bashkë, pikë për pikë, romi im.
Pas meje, kam frikë
a ka dikush që do të të përqafojë
ti puthë këmbët
ti puthë buzët
ti dëgjojë këngët që dalin vrullshëm prej syve tu
ta këndojë ninullën e romëve të Stojkës…
Kam frikë për ty
I dashuri im më i dëlirë
Vesa që përcjellë lumin, agimi që përcjellë hanën.
Pak të duan
Me arsyen më të panjerëzishme
pa pasë nerva me u marrë me ty
më duket se të urrejnë aq sa e urrejnë veten.
Të kam pa të pikëlluar
duke u harrllisë në vetvete
duke shiku në hapësirë për të mos u harru në nënshtrim
duke mbështetë kokën për murin që rëndon,
duke qenë racist i vetvetes.
Kush, i dashuri im
Do të të shtrëngojë
Kur unë dhe Zoti do të jemi duke luajtur në piano së bashku…
Kush ka fuqinë të të përplasë për muri
e të ti shërojë plagët e trupit?
E ti shëtitë,
kur ata duhet ti harrojë toka ku shkelin….
Prej skute në
skutë,
As dhimbjet nuk ti lanë të shtegtojnë,
vallet ti urrejnë, se urrejnë që vetë nuk dijnë të vallëzojnë …