18 Tetor, 2020 - 1:59 pm
Poezi nga Kastriot Malo
Aty ku kishin lindur të parët,
jeni të ardhur më thanë.
Zbrisja shpesh në atë qytezë,
dhe berberi më tha: Ju jeni andej matanë.
E doja qytetin e luleve marrëzisht,
por disa zyrtarë të një gjuhe i kish,
ç’do ëndërr ç’do pasion ma vrisnin,
Mos harro! Je nga vendi ku lindin dervish!
Në qytetin e lashtë zgjerohej liria,
të gjithë buzëqeshnin së tepërmi,
ta jepnin një shpullë ashtu të lehtë,
ti nuk më dukesh vendas nga mbiemri.
Dhe në mertopolin e ëndrrave të mia,
nga parku “Rinia” kalonim kohën e lirë,
jo mor jahu s’je Tiranas më thoshin,
dallohesh nga gjuha fare mirë.
Grushtin e fundit në mërgim e mora,
zgjova një të moshuar nga agonia,
faleminderit më tha kur u përmend,
e di amico e di, ti vjen nga Albania.
Rrëshqasin këto fjalë si ujët në trup,
tani buzëqesh dhe s’më bëjnë të vuaj,
ende më ndjek hija ime në atdheun tim,
që më bën të ndjehem, as vendas as i huaj.
Sërish trokas në portën e të parëve,
sëndukët i shkund nga pluhuri bardhë,
disa boçe me defterë i kthej përmbys,
të shikoj oregjina ime nga të ketë ardhë…/ KultPlus.com