18 Korrik, 2022 - 11:15 pm
Poezi nga Musa Ramadani
Brenga mendjen në merimangë ma pështolli
Tmerri zemrën në fole minjsh ma shndërroi
Faqet e para të gazetave
Kurrë më s’i lexoj
E rëndë është ajo peshë fjalësh
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë
I kam lutur sytë që fjalën
Luftë të mos e venerojnë
I kam bindur veshët që fjalën
Mortje kurrë të mos e dëgjojnë
E kam urdhëruar gojën që fjalën
Gjak përjetë të mos e shqiptojnë
Se e rëndë është pesha e fjalëve
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë
Dëgjomëni ç’ju them
Unë faqet e para të gazetave
Jo, nuk i lexoj kurrë më!
Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
Shekullin e zjarrit s’do ta kenë shëruar. / KultPlus.com