4 Shkurt, 2020 - 11:00 am
Poezi nga Dritëro Agolli
Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti më ke vënë,
Po çudi as qelia s’më mbyt.
Dhe s’më mbyt as dritarja e zezë.
Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua,
Është rast i pashembullt ta dish,
Që xhelatin ta puth a ta dua.
I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë,
Erotim i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë.
Ky burgim sa do zgjasë s’e di,
I përjetshëm do kisha dëshirë.
Veç ti eja më shih në qeli,
Të përndjekurit tënd i vjen mirë.
Do të jete mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.
Ahere ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Unë do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”
Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…
E, kur sytë të hapësh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
“Ti çele herët, moj bajame!”