13 Gusht, 2021 - 8:15 pm
Poezi nga Arbër Selmani
Të gjithë, grumbull.
Duart e mia duan t`i takojnë fytyrat e tyre.
Dhe të përputhen sikur kur i merret shpirti insektit gjatë verës.
Sikur çekani kur tronditë tavolinën e punës.
Sikur dera kur përplaset me stuhi.
Në rreshtin e parë është ky zeshkani, pika e idiotit
Sinonimi i kotit,
Ky nënën e tij e ka në strehimore të pleqërisë, e sheh dy herë në vjet
Nuk pres ky të më dojë mua, as ta dojë këtë shtet.
E urrej, e përbuz. Ndjej pezëm.
E urrej edhe këtë flokëkuqen ulur një rresht sipër tij
Duket si gjarpër që nuk e do as farefisi
Kjo babasë i jep shuplaka e grushta, mbyllur në dhomën më të errët të shtëpisë
Fatkeqja nuk do ta dijë kurrë kurthin e bukur të dashnisë,
E urrej, sëmurem kur e shoh. Ndjej pezëm.
I urrej këta deputetë.
Kjo tjetra më sheh në sy, dhe unë dua ta rrotulloj shkallëve,
I ka dy diploma, me njëqind gabime në shkrim
Ishte kjo që e shau e shpirt-vrau burrin rom dje, afër lagjes sime
Këtë shtrigë, qenushet e pyllit do ta bënin copë e thërrime,
E urrej, e përçmoj. Ndjej pezëm.
Këtë tjetrin, në rreshtin e tretë, e mallkoj
Ky voton kundër jetës, kundër vdekjes, kundër vajtuesve, kundër nënave
Një JO të madhe Zoti ia ka vulosë në çdo lëvizje, në çdo frymë,
Nuk pres ky të na dojë neve, me atë gojë të fëlliqur pështymë
E urrej, e urrej. Ndjej pezëm.
E urrej edhe atë gruan me këmishën pembe, më të bukurën e kësaj kopeje
Dje, vetura e saj përplasi gjyshen e dikujt për vdekje
Nuk i besohet fati, as pagesa e funeralit, një njeriu si kjo fundërrinë
Para se të na shpëtojë, do të na fluturisë drejt e në greminë
E urrej, ajo nuk e di, por e urrej. Ndjej pezëm.
I urrej këta deputetë.
I urrej e nuk kam trohë respekt.
Atje në fund të sallës, ai barkmadhi ka të tjera halle,
Ngadhnjyer fshin hundët e pista
Merr vendime ky fashist, e tmerrshme, e ka forcën e burrit e të abstenimit
Neve ëndërrimtarëve do të na vriste pa copë të hezitimit
E urrej, më vret që ky është deputet. Ndjej pezëm.
Urrej tregimet e tyre, përpëlitjet në sy
Urrej edhe ku ta kenë pak bardhësi ruajtur me dry.
Urrej broçkullat që i thonë, gëzimet, festat.
Urrej vrasjet e shpresave tona
Urrej që nuk u vranë shpresat e tyre, kurrë
Urrej e dua t’i bëj copë copë, nga muri në mur.
E urrej edhe këtë deputeten e re, hipokriten e padijshme
Është kaq e trashë në mendime, kjo nuk njeh as ndjeshmëri as dhimbje
Fëmiut në karrocë invalidësh nuk i ndihmoi ta kalonte udhëkryqin e vështirë
Nuk pres të na ëmbëlsojë jetën neve, ky trup thatësirë.
E urrej, tërbohem kur e shoh. Ndjej pezëm
I sigurtë jam që e urrej edhe deputetin kryesor,
Lëpihet poshtë e lart, jargitet, qullitet,
Ky është kukulla më e shëmtuar në këtë hapësirë,
Ky popullin e han për gjellë, dhe e vjellë mbrapsht të copëtuar e të grirë,
E urrej, me çdo shqisë. Ndjej pezëm.
I urrej këta deputetë,
I urrej se janë të shkretë,
E urrej vallen e tyre, urrej rrobat që veshin,
Urrej se nuk i pashë kurrë të qajnë,
bishat me racë njeriu,
I urrej kur ngërdhihen, kur buzëqeshin./KultPlus.com